Rreth APGR

Shoqata e Resurseve Gjenetike te Bimëve është një organizatë shqiptare e fokusuar ne mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm te resurseve gjenetike te bimëve dhe integrimin e këtij sistemi ne rrjetet e BE. Në këtë faqe web ju mund te gjeni informacione, studime, raporte dhe te dhëna statistikore ne fushën e veprimtarisë sonë.

Historiku

APGR (Shoqata e Resurseve Gjenetike te Bimëve), është një organizate jo fitimprurëse e krijuar ne dt.20.05.2010, nga një grup profesorësh dhe ekspertësh të fushës së bujqësisë dhe gjenetikës së bimëve.
Qëllimi i kësaj organizate është ndërgjegjësimi i shoqërisë, politikëbërësve dhe fermerëve për rëndësinë e njohjes, ruajtjes dhe përdorimit të varieteteve autoktone te bimëve si një element shumë i rëndësishëm i zhvillimit të qëndrueshëm dhe një instrument i sigurte për shtimin e përfitimeve nga përdoruesit e tyre dhe nga mbarë shoqëria. Për realizimin e këtij objektivi, organizata është bazuar në bashkëpunimin e ngushtë me pjesëmarrës nga fusha kërkimore-shkencore, akademike dhe me fermerë e me partnerë të tjerë që operojnë ne këtë fushë.
Gjatë viteve të para, APGR ka kryer mjaft aktivitete për grumbullimin e informacionit mbi gjendjen e resurseve autoktone te bimëve në shkallë vendi, studimin e shkallës së erozionit dhe zhdukjes së tyre si dhe nivelin e angazhimit të komuniteteve e të organeve lokale për mbrojtjen e tyre. Përfaqësues të organizatës kanë bërë takime ne zona të ndryshme të vendit për sensibilizimin e komuniteteve për mbrojtjen mjaft specieve bimore te rralla dhe specifike për vendin tone dhe një pasuri kombëtare me vlera të veçanta.
Në vitin 2013 u zgjerua dhe u intensifikua aktiviteti, në saj të mbështetjes së një projekti nga REC Albania nga Programi i Granteve “Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në
Shqipëri – SENiOR-A”, i Qeverise Suedeze.
Edhe pse relativisht e re, APGR është një organizatë e njohur dhe aktive në shkallë vendi në këtë fushë dhe ka vendosur bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Mjedisit, me Qendrën Kombëtare të Resurseve Gjenetike dhe me organizata të tjera që operojnë në fushën e biodiversitetit.
Në takime të ndryshme me organet vendimmarrëse, nga ana e APGR janë paraqitur propozime për të ndikuar në përmirësimin e trajtimit të resurseve gjenetike bimore të vendit tonë.